Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, mori pjesë sot në ceremoninë përmbyllëse të projektit “Trajnimi i Mësimdhënësve, Ngritja e Kapaciteteve për Komunat dhe Drejtorët e Shkollave”, i cili është financuar nga Bashkimi Evropian.
Ministri i Arsimit, z. Ramë Buja, theksoi se sukseset në reformimin e Fakultetit të Edukimit dhe trajnimit të mësimdhënësve janë inkurajuese, ndërkaq shtoi se Fakulteti i Edukimit është shtylla e gjithë Universitetit Publik “Hasan Prishtina” dhe më gjerë.
Duke folur për rëndësinë e projektit”Trajnimi i Mësimdhënësve, Ngritja e Kapaciteteve për Komunat dhe Drejtorët e Shkollave”, ministri Buja vlerësoi se projekti është realizuar me sukses dhe në funksion të realizmit të synimeve të Ministrisë së Arsimit, sa i përket ngritjes së cilësisë dhe reformimit të Fakultetit të Edukimit.
“Janë trajnuar rreth njëmijë mësimdhënës që të praktikojnë Kurrikulën e re dhe kjo është domethënëse. Janë certifikuar mbi nëntëdhjetë për qind të drejtorëve, të cilët janë trajnuar, nga 243 sa kanë marrë pjesë. Kështu, duke e forcuar Fakultetin e Edukimit forcojmë shoqërinë tonë”, u shpreh ministri Buja.
Ministri Buja po ashtu tha se, përkrahja e Bashkimit Evropian përmes projekteve të ndryshme në zbatimin e plotë të vendimit të Ministrisë së Arsimit për reformim në përgatitjen e mësimdhënësve të rinj, do të sjellë reflektim pozitiv, duke joshur edhe donatorë të tjerë që të na ndihmojnë, në mënyrë që të fuqizohet ky veprim.
Ndërsa, Christof Stock, udhëheqës i sektorit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së, tha se ky projekt ka qenë një shembull i mirë i bashkëpunimit në mes të përfituesve siç janë: Ministria e Arsimit, Fakulteti i Edukimit, komunat, shkollat dhe partnerëve donatorë, GIZ dhe USAID, ndërkaq është shprehur i gatshëm që të vazhdohet ky nivel i bashkëpunimit dhe me projekte të tjera të ngjashme, në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim.
Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, nga ana e tij tha se, Fakulteti i Edukimit po e merr rolin që i takon, në zhvillimin e mësimdhënësve në sistemin parauniversitar.
Çeku theksoi se, ky fakultet ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh në funksion të zbatimit të Strategjisë së Arsimit 2011/ 2016, si dhe zbatimit të vendimit të Ministrisë së Arsimit për reformimin e programeve në përgatitjen e mësimdhënësve.
Ndryshe, projekti IPA 2009 është fokusuar në trajnimin e mësimdhënësve dhe zhvillimin e kapaciteteve të drejtoreve të shkollave. Ky projekt ka zgjatur dy vite, por është vazhduar edhe për 6 muaj në bashkëpunim me MASHT-in.
Trajnimit i janë nënshtruar rreth 1000 mësimdhënës nga Peja dhe Drenasi dhe mbi 200 drejtorë të shkollave në nivel të Kosovës.
Last modified: 1 Shtator, 2022