Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, mori pjesë në takimin e Komisionit Parlamentar për Arsim, ku raportoi për angazhimet në përmbushjen e sfidave që dalin nga Raporti i Progresit 2011 sipas Planit të Veprimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në tremujorin e parë të vitit 2012.
Ministri Buja tha se më gjithë vështirësitë janë arritur rezultate të lakmueshme, por do të vazhdojmë me ngulm të kemi një situatë ende më të mirë, duke shtuar se arsimi nuk është vetëm i një partie, nuk është politikë, por është prioritet i të gjithëve.
Duke folur për braktisjen e shkollës, ministri Buja tha se MAShT në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë ka ofruar mundësin për mësimin kompensues në disa komuna për të gjitha grupmoshat që kanë braktisur shkollimin. Ky proces është në vazhdimësi në disa komuna të Kosovës, ku po vijojnë mësimin 166 kandidatë prej të cilëve 63 janë femra. “Është hartuar edhe Udhëzimi Administrativ për formimin e ekipeve për parandalim të braktisjes. Ndërsa, MAShT bën sigurimin e teksteve falas, transportin, si dhe ndarjen e bursave e që besojmë se janë faktorë ndikues në parandalim të braktisjes”, theksoi ministri.
Një pjesë të fjalës, ministri Buja ia kushtoi edhe çështjes së personelit mësimor, ku theksoi se nga 28.270 mësimdhënës , 11.730 janë femra. Ndërkaq, sa i përket të diplomuarve të papunë, ministri tha se janë rreth 4 mijë sish në Kosovë.
Ministri shtoi se MAShT në bashkëpunim me faktorët dhe institucionet relevante të vendit do të identifikojë nevojat e tregut të punës dhe ngritjen profesionale të kuadrove në pajtueshmëri me këto nevoja.
“Po punojmë që të fuqizojë Këshillin për Arsim dhe Aftësim Profesional në bazë të ligjit të ri që është në përfundim e sipër. Ky ligj gjithashtu parasheh formimin e Agjencionit për Arsim dhe Aftësim Profesional si organ i pavarur”, ka thënë tutje Ministri.
Në vazhdim, ministri Buja tha se jemi në negociata me Qeverinë Daneze (programi DANIDA) për mbështetje financiare për funksionimin e këtij këshilli, ndërkaq në program kemi një sërë aktivitetesh që kanë të bëjnë me përfshirjen e femrës në sektorin e Arsimit Profesional.
Në këtë takim u shtruan edhe një sërë çështjesh me interes, si ajo për një kontroll rigoroz me rastin e licencimit të institucioneve private të arsimi, për sigurinë në shkolla, për një disiplinë dhe performancë më të lartë të profesorëve universitarë, për shkollën e doktoraturës në disa fakultete dhe çështje tjera për të cilat ministri Buja tha se po punohet më përgjegjësinë e duhur gjithnjë duke pasur parasysh progresin e vazhdueshëm , përmbushjen e nevojave dhe zhvillimin e shoqërisë e të shtetit tonë dhe cilësinë.
Last modified: 29 Gusht, 2022