Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka vizituar Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ku ka bashkëbiseduar me stafin akademik të këtij institucioni të arsimit të lartë.
Ministri fillimisht ka uruar përfofesorët dhe studentët për një vit të suksesshëm akademik, ndërsa duke folur për cilësinë në mësimdhënie tha se në këtë Universitet ndihet mirë për arsye se ky institucion ka një mision, ku të rinjve u ofrohet një arsim i avancuar.
Ministri i MASHT-së Arsim Bajrami tha se Universiteti “Kadri Zeka” është model për universitetet tjera në Republikën e Kosovës, ndërsa theksoi se tani Republika e Kosovës nuk e ka asnjë prioritet më të madh se sa të ofrojë një arsim të lartë cilësor.
“Krijimi i arsimit të lartë cilësor, zhvillimi i universiteteve të fuqishme, janë gjenerator të zhvillimit ekonomik”, tha ministri Bajrami.
Me këtë rast, rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, z. Bajram Kosumi i ndau Mirënjohje ministrit Bajrami, për kontributin e dhënë në zhvillimin e këtij Universiteti.
Gjatë ditës, ministri Bajrami ka qëndruar edhe në Kleqkë të Malishevës, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për renovimin e objektit të shkollës “Ibrahim Banushi”, paralelja e ndarë në Kleqë.
Aty, ministri Bajrami, ndër të tjera tha se, MAShT mbetet e përkushtuar për krijimin e infrastrukturës shkollore, ashtu sikur edhe për ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit.
Me respekt,
Divizioni për Komunikim Publik
Tel: 038/ 213 065
Last modified: 26 Gusht, 2022