MASHT

Ministri Bajrami vizitoi Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM)

5 Mars, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka vizituar sot Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ndërsa ka qëndruar edhe në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) në Mitrovicë.

Gjatë vizitës në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ministri është takuar me udhëheqjen e këtij institucioni, ku është informuar nga u.d. rektori z. Alush Musa rreth ecurisë së procesit akademik. Ministri Bajrami theksoi punën e mirë që është bërë në këtë universitet publik, të themeluar 2 vjet më parë, ndërsa uroi që sa më shpejt të përfundojnë punimet në kampusin universitar, i cili pritet të jetë ndër më modernët dhe të sigurojë mundësi për studime cilësore.

Ministri Bajrami përmendi faktin se tashmë janë hartuar rregulloret dhe do të fillojë mbajtja e zgjedhjeve studentore dhe zgjedhja e këshillave në njësi akademike në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. 

Më pas, ministri Bajrami ka vizituar edhe Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM)
në Mitrovicë. IBCM është fondacion ndërkombëtar arsimor jo-fitimprurës, i themeluar nga SPARK, dhe mbështetur nga Agjencioni Suedez SIDA, Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, Ambasada Angleze në Kosovë, Konfederata Zvicerane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes fondeve të Programit IPA.

Ministri Bajrami theksoi se sukseset e këtij institucioni janë dëshmi e mirë se sa i qëlluar ka qenë ky projekt, i cili përveç tjerash, ka për qëllim edhe të krijojë mundësi të studimeve të përbashkëta të të gjitha nacionaliteteve që jetojnë aty, por edhe të vendeve tjera të rajonit. Ai tha se ky kolegj ka një përparësi, sepse ofron mundësi studimi në profesione të ndryshme me mundësi punësimi të mira dhe është partner i mirë në promovimin e integrimit dhe përafrimit të popujve.

Ministri Bajrami vizitoi edhe pjesën e këtij Kolegji, i cili funksionon në Lagjen e Boshnjakëve në veri, ndërkohë që një pjesë të kohës e ndau edhe për të dëgjuar arritjet e studentëve të Kolegjit IBCM në fushën e biznesit.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.