Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë, ka vizituar Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët“ Dardania” në Prishtinë, ku ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle, për një fillim të mbarë të këtij gjysmëvjetori, duke thënë se ky do të jetë edhe viti i promovimit të shkollave digjitale në Republikën e Kosovës.
Ministri Bajrami, pasi ka vizituar disa nga ambientet ku po zhvillohej mësimi, ka thënë se, viti 2016 do të fillojë me demonstrim të cilësisë brenda klasave dhe reformim të metodave të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
“Tanimë do të jetë funksional e-ditari, i cili do të zëvendësojë ditarin klasik. Do të fillojmë me rishikimin e teksteve dhe do të punojmë vazhdimisht për të siguruar arsim cilësor. Jam i sigurtë se këtë vit do të arrijmë një nga objektivat kryesore pas shpalljes së pavarësisë, pra ndërtimin e një sistemi cilësor të arsimit, i cili do të mundësojë krijimin e gjeneratave të përgatitura, krijimin e një gjenerate e cila do të kontribuojë në tranzicionin e përgjithshëm”, është shprehur ministri Bajrami.
Ministri Bajrami, ka thënë se, këtë vit do të fillojë të zbatohet edhe Strategjia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar në Kosovë 2016/2020, dokument ky i rëndësishëm, i cili parasheh masa konkrete për përmirësimin e rezultateve në arsim. “Është miratuar Strategjia Kombëtare për Sigurimin e Cilësisë dhe ne jemi të vendosur që bashkë me mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit, të punojmë për të siguruar shkolla cilësore. Kemi vendosur edhe parimin e llogaridhënies, jemi duke ndërtuar sistemin e vlerësimit të performancës, ku do të shihet se cila është shkolla më e mirë dhe cili është mësimdhënësi më i mirë”, tha ministri Bajrami.
Ndër të tjera, ministri Bajrami foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit me Këshillin e Prindërve, për të parë se sa prindërit janë të kënaqur me atë çfarë fëmijëve të tyre u ofrohet në shkollë. “Shkolla duhet të ofrojë arsim cilësor, edukim dhe trajtim të mirë” theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami theksoi edhe faktin se, në Komunën e Prishtinës tashmë ka filluar edhe zbatimi i projektit për mësim gjithëditorë, projekt ky i cili parashihet të zgjerohet edhe në komunat tjera të Republikës së Kosovës.
Last modified: 30 Gusht, 2022