MASHT

Ministri Bajrami vizitoi kandidatët që iu nënshtruan provimit pranues në Fakultetin e Mjekësisë

21 Korrik, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka vizituar sot kandidatët, të cilët i janë nënshtruar provimit pranues në Fakultetin e Mjekësisë, për të parë nga afër organizimin e provimit pranues në njërin nga fakultetet më të kërkuara në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Me këtë rast, ministri Bajrami, përveç që iu ka dëshiruar suksese kandidatëve në garë për të marrë një nga 335 indekset e rezervuara për këtë fakultet, ka theksuar se është parë një përkushtim dhe rregull gjatë provimit pranues. Ndërsa, ministri përmendi edhe faktin se me konkursin për këtë vit akademik është shkurtuar numri i studentëve për shkencat shoqërore dhe është rritur numri në shkencat ekzakte.

Ministri Bajrami, po ashtu theksoi se do të ketë një analizë të tregut të punës për pesë vitet e ardhshme, në mënyrë që të rinjtë të mos mbesin pa punë. “Jemi të vendosur që të  përshtatim pranimin e studentëve të rinj me nevojat e tregut të punës. Kjo që po bëjmë, është një planifikim i mirë, sepse në të kaluarën kemi pasur një planifikim jo të mirë të pranimit të studentëve të rinj.

Tani dëshirojmë të kemi studimet e nevojave të tregut të punës dhe kjo analizë do të na shërbejë për numrin e studentëve, për programet që do të ofrojmë, në mënyrë që universitetet të nxjerrin kuadro aq sa i duhen shtetit të Kosovës”. 

Last modified: 29 Gusht, 2022