MASHT

Ministri Bajrami vizitoi kandidatët për regjistrim në Fakultetin Juridik dhe Fakultetin Filozofik

16 Korrik, 2016

Ndër të tjera, ministri Bajrami ka folur edhe për rëndësinë e testit të pranimit dhe ndërtimin e një sistemi të vlerave, i cili mundëson që pranimi i kandidatëve të bëhet në bazë të rezultateve.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami i shoqëruar nga rektori i Universitetit të Prishtinës z. Marjan Dema, me rastin e organizimit të provimeve pranuese  për regjistrim në universitetet publike, ka vizituar  kandidatët  konkurrues në Fakultetin Juridik dhe Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Me këtë rast ministri Bajrami, ka uruar studentët  e ardhshëm që të jenë maksimalisht të përkushtuar në këtë ditë të rëndësishme dhe të kenë sukses në përmbushjen e dëshirës së tyre për të filluar studimet, në drejtimet të cilat i kanë përzgjedhur.
 
Ministri Bajrami ka shprehur përkushtimin e Ministrisë së Arsimit për të bashkëpunuar me Universitetin e Prishtinës dhe universitetet tjera publike, në arritjen e ndryshimeve cilësore dhe ngritjen e kredibilitetit të këtyre institucioneve të Arsimit të Lartë, të cilët po përgatisin liderë të së ardhmes dhe kuadro profesionale për përmbushjen e nevojave të tregut të punës.
 
Ministri Bajrami ka theksuar se, Universiteti i Prishtinës vazhdon të jetë lider në Kosovë dhe rajon, për sa i përket cilësisë dhe kërkueshmërisë së studentëve.
 
Ndër të tjera, ministri Bajrami ka folur edhe për rëndësinë e testit të pranimit dhe ndërtimin e një sistemi të vlerave, i cili mundëson që pranimi i kandidatëve të bëhet në bazë të rezultateve.
 
“Tani më universiteti ka ndërtuar standardin e pranimit me merita, është një standard i ndërtuar me vite. Cilindo fakultet që po vizitojmë, po shohim rend dhe përkushtim të profesorëve dhe studentëve. Kjo është një arritje e madhe në Arsimin e Lartë, e cila do të mundësojë që ne të jemi në hap me trendet rajonale dhe evropiane”, theksoi ministri Bajrami.


 
Studentët  i  ka uruar për sukses edhe rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, z. Marjan Dema, i cili gjithashtu shprehu bindjen se procesi i testimit do të shkojë mbarë dhe se gjithçka ka filluar me kohë.

Last modified: 29 Gusht, 2022