Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka vizituar sot maturantët, të cilët i janë nënshtruar pjesës së dytë të Provimit të Maturës Shetërore (afati i gushtit), në dy qendra të testimit në Deçan.
Gjatë vizitës në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” dhe në shkollën e mesme teknike “Tafil Kasumaj”, ministri Bajrami iu ka uruar maturantëve suksese në Provimin e Maturës, ndërsa, ka theksuar se rezultatet do të shpallen me kohë, në mënyrë që ata të kenë mundësi të aplikojnë për regjistrim në universitete në afatin e dytë.
Ministri ka përmendur faktin se MAShT e ka prioritet ngritjen e cilësisë dhe në këtë drejtim ka përmendur punën që po bëhet për trajnimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve dhe të drejtorëve për një menaxhim të mirë. Ministri tha se do të fillojë pilotimi i projektit të digjitalizimit të shkollave, projekt i cili mundëson kalimin nga shkolla klasike në shkollë moderne.
Ministri Bajrami, me këtë rast, përgëzoi administruesit për menaxhim të suksesshëm të Provimit të Maturës, i cili sivjet po zhvillohet në hapësira të vogla, pra në klasa, ndërsa tha se vitin e ardhshëm do të ketë ridizajnim të Maturës.
Ministri Bajrami gjatë vizitës në shkollën e mesme teknike “Tafil Kasumaj”, ka vizituar laboratoret e kësaj shkolle.
Më pas, ministri ka marrë pjesë edhe në përurimin e librit me poezi “Sikur të isha arkitekt”, të nxënësit të klasës së gjashtë të shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” të Deçanit, Erjon Hadërgjonaj., ku theksoi se MAShT do të mbështesë gjithmonë talentët e rinj.
Ndërsa, Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës konfirmon se testet janë shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e testimit në gjithë Kosovën dhe gjithçka është duke shkuar në rregull.
Në afatin e gushtit, Provimit të Maturës Shetërore i janë nënshtruar rreth 16 mijë maturantë në 162 qendra të testimit. Testi përmbanë 80 pyetje nga lëndët e afërta me profesionit dhe është përgatitur në gjuhën shqipe, turke, boshnjake dhe serbe dhe testimi zgjatë 180 minuta.
Last modified: 27 Maj, 2022