MASHT

Ministri Bajrami u prit në Bundestag nga kryetarja dhe anëtarët e Komisionit për Edukim dhe Shkencë

12 Qershor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Gjermani, është pritur në Bundestag nga deputetja e Bundestagut, njëherit kryetare e Komisionit për Edukim dhe Shkencë, znj. Patricia Lips, si dhe anëtarët e këtij Komisioni.

Në këtë takim, ministri Bajrami është njohur me rolin e këtij komisioni në Bundestag, ndërsa i ka informuar deputetët gjermanë për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për punën që po bëhet aktualisht dhe reformat e ndërmarra me qëllim të ngritjes së cilësisë. Ministri ka kërkuar edhe thellimin e bashkëpunimit të Komisionit për Edukim dhe Shkencë të Gjermanisë dhe Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja e Komisionit, znj. Patricia Lips, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe ka theksuar qëndrimin e anëtarëve të Komisionit se do të përkrahin nismat e mira që kanë për qëllim thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, e veçanërisht mes dy ministrive të Arsimit dhe komisioneve që ndërlidhen me arsim dhe shkencë.

Ministri Bajrami ka qëndruar në vizitë edhe në Universitetin Humboldt në Berlin, ku është takuar me z. Kamper-van den Boogaart, zëvendëspresident për çeshtje akademike dhe marrëdhënie ndërkombëtare të këtij universiteti publik, i cili është njëri nga tri universitetet më të mira në Gjermani.

Ministri ka kërkuar bashkëpunimin e këtij Universiteti me universitetet publike kosovare në drejtim të nënshkrimit të marrëveshjeve që do të mundësonin shkëmbimin e stafit akademik, por edhe mundësi të studimeve për studentët kosovarë në të tri nivelet. Ai tha se Kosova ka nevojë për përgatitjen e kuadrove sidomos në shkencat ekzakte dhe teknike, ndërsa kërkoi që Universiteti i Berlinit të ofrojë programe dhe bursa për studime të doktoratës për studentët nga Kosova.

Ministri Bajrami, po ashtu, ka takuar edhe një grup të studentëve kosovarë, të cilët studiojnë në universitetet gjermane në Berlin. Ai shprehu kënaqësinë e tij që këta studentë po studiojnë në universitete me renome ndërkombëtare dhe kërkoi nga ata që pas studimeve të kthehen në Kosovë dhe dijen e tyre ta bartin te gjeneratat e reja.

Last modified: 29 Gusht, 2022