MASHT

Ministri Bajrami takoi studentë dhe mësimdhënës me rastin e fillimit të vitit të ri akademik

1 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë hapjen solemne të vitit akademik 2015/2016 në, Amfiteatrin e Madh të Fakultetit Juridik, ku janë pritur studentët e rinj të këtij fakulteti.
 
Ministri Bajrami, në fjalën e tij të rastit, ndër të tjera ka theksuar se, ky fakultet që nga themelimi i tij ka përgatitur liderë, të cilët kanë udhëhequr procese të rëndësishme në vend.
 
“Në këtë sallë unë po shoh liderë të së ardhmes. Të jeni të sigurt që mësimdhënësit dhe asistentët do të punojnë me ju, do të jenë interaktivë, në mënyrë që vërtetë të mundësohet një edukim bashkëkohorë dhe cilësorë i juristëve të ardhshëm. Profesorët dhe Universiteti ekzistojnë për ju”, theksoi ministri Bajrami.


 
Ministri Bajrami po ashtu ka ftuar studentët e rinj që të jenë aktiv, të përkushtuar, kërkues dhe kritikë, në mënyrë që liria dhe krijimtaria akademike të bëhen pjesë e punës së përbashkët.
 
Ministri Bajrami, theksoi se, edhe ky vit vit akademik po nis me shumë shpresa dhe sfida, por të vendosur për të demonstruar cilësi dhe jo për të folur për të.
 
“Sot po e nisim një sfidë të re, sepse fillimi i vitit akademik, sa është akt solemn është edhe sfidë. Të kthehemi 17 vite prapa dhe të kujtojmë 1 Tetorin kur ne kishim një ëndërr. Ajo ëndërr sot është bërë realitet. Ne jemi në shtetin tonë të pavarur dhe po përgatisim juristë, të cilët do të mbrojnë shtetin tonë, do të mbrojnë ligjet tona dhe shtetin ligjor, për të ndërtuar një shtet demokratik”, theksoi ministri.


 
Ministri Bajrami po ashtu ka vlerësuar lartë stafin akademik të këtij fakulteti dhe fakulteteve të tjera, për punën dhe përkushtimin e tyre, në përgatitjen e kuadrove të reja për tregun e punës.
 
Ministri Bajrami, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, gjatë ditës së sotme ka vizituar edhe Fakultetin e Edukimit, ku para studentëve të rinjë ka theksuar se, në këtë ditë solemne ju po i bashkoheni një misioni të shenjtë, përgatitjes profesionale për mësimdhënës të së ardhmes, profesion ky  me të cilin nesër do t’i kontribuoni shtetit.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.