Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka mbajtur sot një takim të përbashkët me Rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe dekanët e të gjitha njësive akademike të Universitetit, me të cilët ka biseduar rreth vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ministri Bajrami i njoftoi strukturat drejtuese të Universitetit lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në UP dhe obligimet e MAShT për përgatitjen e Udhëzimit Administrativ (UA), i cili do të krijojë bazën ligjore për zgjedhjet. Ai njoftoi që Udhëzimi Administrativ do të jetë i gatshëm brenda javës dhe i njëjti para miratimit do të dërgohet për diskutim dhe sugjerime, të gjitha palëve në interes, udhëheqësve të njësive akademike, Rektoratit dhe Këshillit Drejtues. Pas shqyrtimit të sugjerimeve të pranuara, MAShT do të finalizojë Udhëzimin dhe do të dorëzojë për miratim në Qeveri.
Ministri Bajrami i njoftoi strukturat drejtuese të Universitetit që në hartimin e këtij Udhëzimi Administrativ kemi pasur mbështetjen dhe asistencën e ekspertëve ndërkombëtar të ofruar nga partnerët zhvillimor ndërkombëtar. Ai theksoi përkushtimin e MAShT për organizimin e zgjedhjeve sa më të mira dhe në respektim të afateve, në mënyrë që semestri i ardhshëm ta gjejë UP-në me udhëheqësit e rinj të zgjedhur. Ai kërkoi nga dekanët që deri në këtë kohë të vazhdojnë të përmbushin obligimet statutare dhe ligjore në menaxhimin funksional të njësive akademike dhe organeve tjera të universitetit.
Ministri Bajrami, njoftoi strukturat drejtuese të Universitetit se për këto zgjedhje do të kërkohet një monitorimi i afërt i procesit zgjedhor, së bashku me organizata të specializuara vendore dhe ndërkombëtare.
Gjatë këtij takimi, u arrit pajtueshmëri të plotë nga ana e rektorit dhe dekanëve të UP-së, që zgjedhjet të organizohen në përputhje me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjitha palët shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për të kontribuar në organizimin e mirëfilltë të procesit zgjedhor.
Last modified: 30 Gusht, 2022