MASHT

Ministri Bajrami takoi ndaras udhëheqjen e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe përfaqësuesit e Shoqatave të Luftës së UÇK-së

29 Dhjetor, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka informuar kabinetin qeveritar me zhvillimet rreth shqetësimeve të krijuara për regjistrimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, të kandidatëve që i takojnë kategorive të familjes së ngushtë të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës.

Ministri ka theksuar se do të mbështesë palët, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe shoqatat e Luftës së UÇK-së, që të arrijnë një zgjidhje për situatën e krijuar. Ministri ka theksuar mbështetjen për autonominë akademike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” duke shtuar se Qeveria dhe Ministria nuk mund të jenë adresa për zgjidhjen e këtij problemi. Kryeministri ka shprehur mbështetjen e plotë për ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes për situatën e krijuar.

Pas mbledhjes së Qeverisë, ministri Bajrami ka pritur në takime të ndara, kryetaren e Këshillit Drejtues, znj. Shefkije Islamaj dhe rektorin Prof. Dr. Ramadan Zejnullahu, dhe më pas përfaqësuesit e Shoqatave të Luftës së UÇK-së. Ministri Bajrami i informoi të dy palët mbi qëndrimin e Qeverisë përkitazi me çështjen e regjistrimit të kandidatëve, që i takojnë kategorive të familjes së ngushtë të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës.

Ministri i Arsimit, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës shprehu vullnetin dhe përkushtimin e plotë për të kontribuar në tejkalimin e këtyre vështirësive, por gjithashtu i njoftoi palët që nuk duhet të kenë pritje që MAShT, apo Qeveria, mund të zgjidh këtë çështje. “Universiteti i Prishtinës dhe Shoqatat e Luftës së UÇK-së duhet që ta kenë parasysh që për shkak të autorizimeve ligjore, kjo është çështje që duhet zgjidhur mes tyre”.

Ministri Bajrami kërkoi nga palët që zgjidhja përfundimtare lidhur me këtë çështje të gjendet sa më shpejt, për shkak të kompleksitetit dhe ndjeshmërisë së çështjes. “Zgjidhja duhet të ofrohet nga vetë Universiteti i Prishtinës si institucion autonom, në përputhje me ligjshmërinë, konform marrëveshjeve në fuqi që ka Universiteti, konform kushteve dhe kritereve akademike të përcaktuara në konkurset e miratuara nga Senati i Universitetit të Prishtinës”.

Ministri Bajrami njoftoi udhëheqjen e Universitetit të Prishtinës që në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në konkursin e shpallur në afatin e parë për pranimin e studentëve në vitin akademik 2014-2015, Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, shpreh gatishmërinë që në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe shoqatat përkatëse të përmbush obligimin e saj ligjor të caktuar me konkurs për përcaktimin e kuotës së veçantë për kandidatët nga kategoritë e familjes së ngushtë të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës. “Institucionet nuk mund t’i ikin përgjegjësisë për lëshimet e mëhershme në mos përmbushjen e obligimit të përcaktuar me konkurs për të propozuar kuotën e veçantë për kandidatët nga kategoritë përkatëse”.

Ministri Bajrami i informoi palët që për vitin e ardhshëm synon që në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Shoqatat përkatëse të Luftës së UÇK-së, të përgatisin një Program për Përkrahjen e kandidatëve që i takojnë kategorive të familjarëve të ngushtë të dëshmorëve, veteranëve të luftës dhe invalidëve të luftës. Programi i Përkrahjes do të mundësojë kurse përgatitore për provimin pranues ne Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në fund, Ministri Bajrami shprehu zotimin e tij që në përputhje me parimet e Bolonjës dhe të fushës së arsimit të lartë evropian, do të angazhohet për respektimin e autonomisë akademike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.