MASHT

Ministri Bajrami raportoi para Komisionit Parlamentar për Arsim për çështjen e teksteve shkollore

15 Mars, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka raportuar sot para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Arsim rreth çështjes së teksteve shkollore, me ç’rast tha se tashmë është aktivizuar Këshilli i ekspertëve për programe dhe tekste shkollore për të përgatitur tekstet. 

Ministri Bajrami theksoi se është krijuar mekanizmi që për çdo vit do të rishikojë tekstet shkollore dhe t’i lejojë ato për përdorim në shkolla. Ai theksoi se Komisioni ka krijuar 13 standarde, të cilat duhet t’i plotësojnë tekstet, ndërsa tha se edhe gjatë këtij viti ka mundësi që mund të tërhiqen disa tekste që kanë përmbajtje jo të duhur, siq janë tekstet e Historisë, Gjeografisë, Gjuhës shqipe, por edhe të Edukatës Qytetare.

Ministri theksoi se disa ndryshime mund të bëhen vetëm me ndryshimin e infrastrukturës ligjore, ndërsa tha se këtë vit është në agjendë edhe Projektligji për Tekstet Mësimore.

Gjatë këtij takimi u bisedua edhe çështjen e çantave të rënda të nxënësve, tekstet për nxënësit e Luginës së Preshevës, furnizimin e komunitetit boshnjak e turk me tekste shkollore, ruajtjen e teksteve shkollore dhe kthimin e tyre, stoqet e krijuara me tekste shkollore, etj. Ministri Bajrami shpalosi planet për rregullimin e këtyre çështjeve, me theks të veçantë lirimin e nxënësve nga barra e rëndë e çantave, për të cilën tha se është problem global, por theksoi se po punohet pa ndërprerë për të gjetur zgjidhjen afatgjatë. 

Last modified: 30 Gusht, 2022