MASHT

Ministri Bajrami priti përfaqësues të tri universiteteve amerikane

2 Qershor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka pritur sot përfaqësues të tri universiteteve amerikane: “James Medison”, “Christopher Newport” dhe “Eastern Mennonite”, me të cilët ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në arsimin e lartë.

Ministri Bajrami falënderoi ShBA-të për gjithçka që kanë bërë për vendin tonë. Ndërsa, duke folur për gjendjen e arsimit në Kosovë, ministri tha se kemi vendosur prioritet ngritjen e cilësisë në arsim, i cili është sektori kryesor ku është e kyçur gjysma e popullsisë.

Minsitri Bajrami theksoi se Qeveria Amerikane, tashmë po e mbështetë arsimin e lartë me 25 milion dollarë, me një projekt që ka të bëj me transformimin e lidershipit dhe në këtë drejtim, bashkëpunimi me universitetet amerikane është shumë i rëndësishëm.

“Jemi të interesuar të dërgojmë në universitetet amerikane studentë, sidomos për studime master dhe të doktoraturës, të dërgojmë mësimdhënës për të parë metodat e mësimdhënies, por edhe të sjellim profesorë amerikanë në Kosovë, sidomos në studimet pasdiplomike”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se Kosova ka gjashtë universitete publike, prandaj ka nevojë të theksuar për përgatitjen e kuadrove të reja dhe ky bashkëpunim do të ndikonte në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

Përfaqësuesit e universiteteve theksuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim dhe u interesuan për fushat për të cilat ka më së shumti nevojë Kosova për përgatitjen e kuadrove në universitetet amerikane. Ndërsa, ministri Bajrami theksoi se ka nevojë për të gjitha fushat, por më shumë në shkencat natyrore.

Last modified: 29 Gusht, 2022