MASHT

Ministri Bajrami priti nxënësit fitues të medaljeve të arta në Olimipadën “Golden Climate – 2017”, në Kenia

12 Prill, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti nxënëset e gjimnazit “Hasan Nahi” të Prishtinës, Elena Hyseni dhe Fatlindë Zogaj, të cilat zunë dy vendet e para në Olimpiadën ndërkombëtare “Golden Climate – 2017”, në fushën e projekteve shkencore mjedisore për energji të qëndrueshme.

Me këtë rast, ministri Bajrami ka përgëzuar dy nxënëset fituese për suksesin e arritur në këtë garë të rangut ndërkombëtarë, sukses ky që dëshmon që Kosova ka nxënës të shkëlqyeshëm, të cilët me njohuritë që kanë po dëshmohen gjithnjë e më shumë në garat e ndryshme të diturisë në nivel botëror.

“Ministria e Arsimit i gëzohet sukseseve të  nxënësve tanë, njëherësh i ka mbështetur dhe do t’i mbështesë me bursa dhe forma të ndryshme stimuluese, të gjithë nxënësit fitues të medaljeve të cilët mund t’i konsiderojmë edhe si ambasadorë që e prezantojnë vendin tonë denjësisht, kudo që u jepet mundësia”, tha ministri Bajrami.

Nxënëset Elena Hyseni dhe Fatlindë Zogaj, fituan dy medalje të arta me projektet shkencore “Eko-beton” dhe “Jo më kimikale të dëmshme në ushqimin tuaj”. Olimpiada “Golden Climate – 2017”, u mbajt në Najrobi – kryeqyteti i  Kenias në Afrikë, ndërsa në konkurrencë ishin mbi 2000 projekte shkencore nga 70 shtete të botës

Last modified: 26 Gusht, 2022