MASHT

Ministri Bajrami priti një delegacion të Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë

21 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur në takim një delegacion të Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë, të kryesuar nga kryetari i këtij Këshilli, z. Yekta Saraç, me të cilët ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve në arsimin e lartë, ndërsa ky bashkëpunim është konkretizuar edhe me një Memorandum Mirëkuptimi, që u nënshkrua nga ministri Bajrami dhe kryetari Saraç.

Ministri Bajrami ka theksuar se, nënshkrimi i këtij Memorandumi krijon mundësinë e një bashkëpunimi edhe më të intensifikuar në fushën e arsimit të lartë, sa i përket këmbimit të përvojave turke të reformës në këtë fushë.

“Ne po hapim rrugën e një bashkëpunimi të dendur dhe intensiv, në mënyrë që të dërgojmë sa më shumë studentë në nivele të ndryshme të studimeve, sidomos në studimet master dhe doktoraturë”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami e vlerësoi lartë gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit në mes të universiteteve të Kosovës dhe Turqisë edhe në fushën e kërkimeve dhe hulumtimeve shkencore.

 “Është një mundësi e shkëlqyeshme që të ndërtojmë partneritet të universiteteve tona me universitetet publike dhe private në Turqi, që të krijojmë edhe mundësinë e diplomave të përbashkëta, programeve të përbashkëta dhe të ndërtojmë partneritet midis programeve të Kosovës dhe Turqisë, në aplikimin për fondet evropiane të arsimit të lartë, siç është projekti Erasmus +, Horizon 2020 dhe projektetë tjera”, ka theksuar ministri.

Ndërsa, Kryetari i Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë, z. Yekta Saraç tha se, sistemi i arsimit të lartë duhet të jetë i hapur dhe i pavarur, në mënyrë që të mundësojë avancimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

“Këto bashkëpunime paraqesin lidhje të shëndosha ndërmjet dy vendeve, ku bashkëpunimi ndërshtetërorë do të marrë një dimension krejt tjetër, duke rritur mobilitetin e studentëve dhe programet e diplomave të përbashkëta ndërmjet dy shteteve”, tha z. Saraç.

Më pas, ministri Bajrami dhe delegacioni nga Turqia, i është bashkuar takimit të rektorëve të disa universiteteve më prestigjioze publike të Turqisë dhe rektorëve të universiteteve publike të Kosovës.


 
Në këtë takim, ministri Bajrami theksoi se bashkëpunimi në fushën e arsimit me shtetin turk po thellohet edhe më shumë. “Ne si shtet i ri, kemi nevojë për ndihmën tuaj, sidomos në përgatitjen e kuadrove në shkencat ekzakte, teknike dhe mjekësore”, tha ministri Bajrami.
 
Ndërsa, kryetari Saraç tha se beson që marrëdhëniet mes Turqisë dhe Kosovës mund të avancojnë edhe më tej në arsimin e lartë, ndërsa shprehu gatishmërinë e shtetit të tij që të përkrahin çdo kandidat që e dërgon Kosova për studime pasdiplomike në shkencat që kërkoi ministri Bajrami, për të cilat tha se, shpesh janë edhe studimet më të mira në Evropë.
 
Gjatë këtyre takimeve është biseduar edhe për fuqizimin dhe hapjen e katedrave të reja të alabanologjisë në universitetet publike të Turqisë.
 

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.