MASHT

Ministri Bajrami priti në takime të ndara ambasadoren e Francës dhe ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë

2 Shkurt, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami ka pritur sot në takime të ndara ambasadoren e Francës në Kosovë, znj. Maryse Daviet dhe ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Ian Cliff, me të cilët ka biseduar për prioritetet dhe planet për zhvillimin e arsimit në vend.

Ministri Bajrami falënderoi qeveritë e të dyja vendeve për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë arsimit kosovar nëpër vite dhe kërkoi që ky bashkëpunim të vazhdojë si ndihmë e rëndësishme për zhvillimin e sektorit të arsimit drejt cilësisë së dëshiruar.

Ministri Bajrami theksoi se ngritja e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, sidomos në arsimin e lartë është parakusht për zhvillimin ekonomik të vendit, prandaj theksoi se, Qeveria e Kosovës e ka vendosur arsimin si prioritet kombëtar.

Në takimin me ambasadorin e Britanisë së Madhe, ministri Bajrami e falënderoi z. Cliff edhe për pritjen që i ka bërë shteti i tij gjatë pjesëmarrjes në Forumin Botëror të Arsimit, i cili është mbajtur në Londër, e ku ministri Bajrami ndër të tjera ka pasur edhe takime të rëndësishme për zhvillimin e mëtutjeshëm, sidomos të arsimit të lartë.

Ambasadorët Daviet dhe Cliff premtuan bashkëpunim të mëtutjeshëm në realizimin e synimeve për ngritjen e cilësisë në arsim.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.