MASHT

Ministri Bajrami priti në takim rektorin e Universitetit Primoskos, z. Dragan Marusiç

28 Janar, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti rektorin e Universitetit Primoskos të qytetit Koper të Sllovenisë, z. Dragan Marusiç, me të cilin bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit reciprok në sektorin e Arsimit të Lartë.

Ministri Bajrami e njoftoi rektorin Marusiç për zhvillimet aktuale në Arsimin e Lartë të Kosvës, përkushtimin e Ministrisë së Arsimit në ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet, si dhe ndryshimin e legjislacionit, me theks të veçantë Ligjit për Arsimin e Lartë.

Me këtë rast, ministri Bajrami, foli edhe për mundësitë e bashkëpunimit në mes të universiteteve të Kosovës dhe atyre të Sllovenisë, sa i përket shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve, ofrimit të programeve të përbashkëta mësimore dhe bashkëpunimit për aplikim të përbashkët me projkte në fondet e BE-së.

Ndërsa, rektori Masuriç theksoi se, Universiteti të cilin e udhëheq është i gatshëm të bashkëpunojë me universitetet e Kosovës, sidomos në fushat e përcaktuara me Marrëveshjen për Bashkëpunim, të nënshkruar kohë më parë në mes të Kosovës dhe Sllovenisë, në kuadër të së cilës parashihet edhe bashkëpunimi në sektorin e Arsimit të Lartë.

Last modified: 30 Gusht, 2022