MASHT

Ministri Bajrami priti ministrin e Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë, z. Pishtar Lutfiu

17 Qershor, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka pritur sot ministrin e ri të Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë, z. Pishtar Lutfiu, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e arsimit dhe të shkencës.

Ministri Bajrami tha se me ministrin Lutfiu ka biseduar zbatimin e dy marrëveshjeve të nënshkruara me Maqedoninë në fushën e arsimit, por edhe për rritjen e bashkëpunimit në nivelin akademik, tash kur është themeluar edhe universiteti “Nëna Terezë” në Shkup, ndërsa theksoi se  Kosova dhe universitetet e Kosovës do ta ndihmojnë këtë universitet. 

“Ne do ta mbështestim plotësisht këtë Universitet me profesorët më të mirë që i kemi, sepse ky do të jetë një universitet model i kompetencës, kryesisht i orientuar drejt shkencave teknike dhe teknologjike dhe do të fillojë punën nga ky vit akademik”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi rëndësinë e këtij universiteti edhe për forcimin e kapacitetin intelektual të shqiptarëve në Maqedoni

Duke theksuar lehtësimet që janë bërë sa i përket kalimit të kufirit me Maqedoninë dhe autostradës e cila është duke u përfunduar, ministri Bajrami theksoi se do të ketë mundësi më të mëdha edhe për studentët kosovarë, por edhe për bashkëpunim ndëruniversitar. 

“Me ministrin Lutfiu biseduam që t’i shtyjmë universitetet tona sa më shumë që të bashkëpunojnë në programet e përbashkëta në doktoraturë dhe magjistraturë”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se në këtë takim është biseduar edhe për bashkëpunim në fushën e arsimit parauniversitar, sidomos në arsimin profesional. 

“Në mënyrë të veqantë u morëm vesh që të shpallim konkursin e përbashkët për Kosovë dhe Maqedoni për projektet e përbashkëta kërkimore shkencore. Të dy ministritë do të ndajmë bursa dhe subvencione për asistentët dhe profesorët që të aplikojnë me projekte të përbashkëta qoftë të karakterit rajonal, apo evropian”, tha ministri Bajrami. 

Ndërsa, ministri Lutfiu shprehu kënaqësinë që ndodhet në Kosovë në vizitën e parë zyrtare pas marrjes së detyrës, ndërsa theksoi se do të punohet për jetësimin e dy marrëveshjeve tashmë të nënshkruara mes Kosovës dhe Maqedonisë. 

Ministri Lutfiu tha se e ka njoftuar ministrin Bajrami edhe për mënyrën se si po ecën puna me universitetin e ri “Nënë Tereza”, për të cilin theksoi se është një projekt shumë i rëndësishëm si për Maqedoninë ashtu edhe për rajonin. “Në këtë aspekt do të na duhet shumë edhe ndihma e Kosovës dhe përvoja e saj në shkencat teknike kah të cilat është i orientuar Universiteti”. 

Last modified: 29 Gusht, 2022