Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur në takim ministren për Dialog në Qeverinë e Kosovës, znj. Edita Tahiri dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Luginës së Preshevës, z .Jonuz Musliu, me ç`rast biseduan për çështjen e teksteve shkollore dedikuar nxënësve shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Ministria e Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë, që nga fillimi i vitit të ri shkollor 2015/16, i ka nisur tekstet shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës, ndërsa edhe sot e kësaj dite, kanë mbetur në terminalin doganor në Preshevë.
Ministri Bajrami tha se po vazhdon të kërkojë zgjidhje të kësaj çështjeje në rrugë legale, që nxënësit atje të pajisen me tekste shkollore njësoj siç po ndodhë edhe me nxënësit serb në Kosovë, të cilët gjithashtu marrin tekste nga Serbia.
Z. Musliu vuri në theks dëmin që po e pësojnë nxënësit shqiptarë, të cilët sipas tij, edhe këtë vit e kanë filluar me tekste të stërvjetëruara.
Ministri Bajrami dhe ministrja Tahiri, gjithashtu, e njoftuan z. Musliu se për këtë çështje kanë biseduar edhe me palën serbe, por edhe me faktorët relevant në Bruksel, nga të cilët kanë kërkuar mbështetje për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Last modified: 31 Gusht, 2022