Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e të dyja vendeve në sektorin e arsimit.
Ambasadori Minxhozi uroi ministrin për detyrën e re, ndërsa përcjelli edhe urimet e ministres së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla.
Ministri Bajrami tha se arsimi është fusha më e rëndësishme e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri. “Bashkë mund të bëjmë programe shumë të mira, sidomos në nivelin e arsimit universitar”, tha ministri Bajrami. Ai ritheksoi edhe në këtë takim, se arsimi i lartë do të jetë prioritet në punën e tij si ministër, ndërsa përmendi faktin se arsimi do të jetë edhe një nga prioritetet kombëtare të Qeverisë së Kosovës.
Ambasadori Minxhozi tha se bashkëpunimi i ndërsjellë do të mund të konkretizohet dhe thellohet në takimet që do të kenë ministrat Bajrami e Nikolla.
Last modified: 30 Gusht, 2022