MASHT

Ministri Bajrami priti ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë

11 Dhjetor, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, z. Ian Cliff, me të cilin bisedoi rreth prioriteteve që ka për zhvillimin e arsimit në vend.

Ministri Bajrami tha se do t’i kushtojë rëndësi të gjitha niveleve të arsimit, duke filluar nga ai parashkollor e deri te niveli i arsimit universitar. Ai tha se tashmë Kosova qëndron mirë sa i përket hapësirave shkollore, prandaj tha se puna do të jetë e koncentruar në ngritjen e cilësisë.

Ministri Bajrami theksoi se prioritet gjatë punës së tij do të jenë universitetet, e në veçanti Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. “Kemi ligje të mira, por do të punojmë më shumë në ngritjen e cilësisë”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se do të angazhohet maksimalisht që politika të mbetet larg universitetit.

Ambasadori Cliff, me këtë rast, ia dorëzoi ministrit Bajrami edhe ftesën për pjesëmarrje në Forumin Botëror të Arsimit, i cili mbahet çdo vit në Londër nga 19 deri më 22 janar, forum në të cilin marrin pjesë ministrat e arsimit nga mbarë bota.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.