MASHT

Ministri Bajrami priti ambasadoren e Zvicrës në Prishtinë

16 Dhjetor, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Prishtinë, znj. Krystyna Marty Lang, me të cilën bisedoi për zhvillimet në arsim dhe për prioritetet e domosdoshme për zhvillimin e arsimit dhe të shkencës në Kosovë.

Ministri Bajrami falënderoi znj. Marty Lang për mbështetjen e madhe që ka dhënë vendi i saj për Kosovën, në veçanti për sektorin zhvillimin e sektorit të arsimit, ndërsa e ftoi atë për mbështetje të mëtutjeshme në sektorin e arsimit. 

“Kosova ka një numër shumë të madh të rinjve të kyçur në procesin mësimor dhe ata meritojnë arsim cilësor. Prandaj, prioritet në punën time si ministër do të jetë obligimi për ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, duke filluar nga ai parauniversitar, arsimi profesional dhe deri te arsimi i lartë”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se vëmendje të veçantë do t’i kushtojë mbështetjes së universiteteve për arritjen e standardeve të cilësisë.

“Bolonja nuk është vetëm kërkesë politike, por edhe një sfidë për arsim cilësor dhe ne duhet të ndërmarrim gjitha reformat e nevojshme për të merituar këto standarde “, tha ministri Bajrami. Ai shprehu përkushtimin e tij për promovimin dhe zgjerimin e autonomisë së universiteteve publike në Kosovë, në veçanti, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ambasadorja znj. Krystyna Marty Lang, e uroi ministrin Bajrami për detyrën e tij të re, ndërsa theksoi se do të vazhdojnë ta mbështesin arsimin, sidomos arsimin profesional, fushë në të cilën edhe kanë investuar deri më tani. Ajo theksoi se e kanë në fokus arsimin profesional, sepse besojnë se në këtë segment qëndron edhe zhvillimi i ekonomisë më të qëndrueshme, pra duke përgatitur njerëz kompetentë për punë të ndryshme që i kërkon tregu i punës.

Last modified: 30 Gusht, 2022