MASHT

Ministri Bajrami priti ambasadoren e Turqisë në Prishtinë

29 Dhjetor, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka pritur sot në takim ambasadoren e Turqisë në Prishtinë, znj. Songul Ozan, me të cilën ka biseduar kryesisht për bashkëpunimin mes Turqisë dhe Kosovës në fushën e arsimit.

Ambasadorja Ozan i uroi ministrit Bajrami detyrën e re që i është besuar dhe theksoi se pret thellim të bashkëpunimit me shtetin turk gjatë mandatit të tij.

Ministri Bajrami e falenderoi ambasadoren për ndihmën e madhe që ka dhënë shteti i saj për Kosovën dhe tha se fusha e arsimit është një fushë ku mundësitë e bashkëpunimit janë të mëdha. Ministri përmendi faktin se shumë njerëz që i kontribuojnë udhëheqjes dhe zhvillimit të Kosovës kanë kryer studime në Turqi. “Qeveria e Turqisë ka dhënë një kontribut të madh në përgatitjen e studentëve tanë dhe unë si ministër jam i gatshëm për bashkëpunim, në mënyrë që këto raporte të jenë sa më të ngushta dhe më miqësore”.

Ministri Bajrami tha se do të punojë shumë afër me Turqinë për integrimin sa më të madh të komunitetit turk që jeton në Kosovë.

Po ashtu, ministri Bajrami theksoi se do të punojë shumë në ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, e sidomos të arsimit të lartë. “Do të mbështes universitetet tona që ato të jenë autonome dhe nuk do të lejoj ndërhyrje politike”, tha ai.

Gjatë këtij takimi, ministri Bajrami dhe ambasadorja Ozan biseduan edhe për marrëveshjet bilaterale për bashkëpunim që kanë bërë qeveritë e dy vendeve dhe u dakorduan që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tutje

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.