MASHT

Ministri Bajrami priti ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë

17 Dhjetor, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti në një takim kurtuazie ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, znj. Tracey Ann Jacobson, e cila i ka uruar ministrit detyrën e re. Në takim morën pjesë edhe z. James Hope, drejtor i USAID dhe z. Kanishka Gangopandhay, ndihmës zyrtar për çështje publike.

Ministri Bajrami e falenderoi ambasadoren për mbështetjen e madhe që kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në sektorë të ndryshëm zhvillimor në Kosovë, dhe në veçanti mbështetjen e madhe që jep USAID-it në sektorin e arsimit. Ai përmendi Programin për Arsim Fillor dhe Programin për Transformimin e Lidershipit, për të cilat tha se kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në reformat arsimore. Programi për Transformimin e Lidershipit do të jetë një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore ne Kosovë, me qëllim të krijimit të një kuadri të ri profesional në Kosovë, përmes ofrimit të mundësive për bursa studimore te nivelit Master, programeve të trajnimit profesional dhe partneriteteve universitare. Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për programet tjera të Ambasadës Amerikane (Programin Fullbright).

“Investimi në arsim është ndihma më e madhe që mund t’i bëhet një shteti”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se prioritet gjatë punës së tij në krye të këtij dikasteri do të jetë arsimi i lartë, respektivisht ngritja e cilësisë, por pa lënë anash edhe nivelet tjera të arsimit. “Do të punojmë në ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, sidomos në arsimin universitar, sepse udhëhiqem nga parimi se sa më të forta të jenë universitetet, shoqëria do të jetë më e përparuar”, tha ministri Bajrami, ndërsa shprehu përkushtimin e tij për autonomi substanciale të universiteteve tona, si parakusht thelbësor në rritjen e cilësisë në arsimin e lartë, veçanërisht në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ambasadorja Jacobson e uroi z. Bajrami për emërimin e tij dhe u zotua që ambasada amerikane do të vazhdojë ta përkrahë këtë ministri. Ambasadorja Jacobson e informoi ministrin Bajrami për përpjekjet e 25 vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë, të cilët i mbështesin komunitetet dhe shkollat në viset rurale në mësimin e gjuhës angleze. Gjithashtu, ambasadorja shprehu mbështetjen e saj të plotë për një çasje që promovon autonominë akademike dhe mosndërhyrjet politike në universitetet publike në përgjithësi dhe në veçanti Universitetin “Hasan Prishtina”.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe lidhur me njohjen e diplomave të lëshuara nga Universiteti në Mitrovicën e Veriut dhe integrimin e shkollave të komuniteteve pakicë në sistemin arsimor të Kosovës. Ministri Bajrami theksoi se është i gatshëm të angazhohet për ndërtimin e vullnetit politik dhe ndërmarrjen e masave konkrete për integrimin e tyre në sistemin arsimor të Kosovës.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.