Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe z. Kristof Stock nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë përuruar objektin e ri të Shkollës së Mesme Ekonomike Profesionale në Llabjan, komuna e Artanës.
Me këtë rast ministri Bajrami, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe komunitetin për objektin e ri të shkollës, për të cilin tha se është një objekt modern, që ofron kushte e hapësirë për qasje moderne në mësimdhënie e mësimnxënie, njëherësh ka falënderuar përfaqësuesit e BE-së, për investimet që kanë bërë për ndërtimin e kësaj shkolle .
Ministri Bajrami theksoi se, shkolla e mesme ekonomike është një mundësi e mirë që të përgatisë profesionist të shpejtë për tregun e punës. Ai ka ftuar të gjithë mësimdhënësit që të japin maksimumin e tyre që të promovojnë një metodologji të re të mismdhënies me qëllim të ngritjes së cilësisë.
“Duke e ngritur cilësinë në arsim, ne do të mundësojmë që këta të rinj të realizojnë perspektivën e tyre të punësimit dhe të ngritjes së karrierës gjatë gjithë jetës. Ky ambient që sot po përurojmë është një ambient që i plotëson të gjitha kushtet”, tha ministri Bajrami.
Në vazhdim, ministri Bajrami tha se MASHT-i përveç që ka bërë inventarizimin e shkollës, do të ndihmojë edhe në pajisje teknologjike, ku secila klasë të ketë teknologji të informacionit, që nxënësit të kenë qasje në internet, ku shumica e lëndëve do të mund të prezantohen edhe në mënyrë digjitale.
“Ne kemi filluar epokën e digjitalizimit të shkollës, por këtë do ta bëjmë me shumë kujdes, sepse nuk dëshirojmë që ta prezantojmë si konflikt gjeneratash, por si një tranzicion të qetë dhe të natyrshëm dhe se shumica e mësimdhënësve dhe nxënësve janë të gatshëm për këtë sfidë “ tha ministri Bajrami.
Ndërsa, Kristof Stock tha se një shkollë e bukur si kjo, ofron mundësi të mira që mundëson edukim të mirëfilltë.
“ Dua të theksoi se investimi në edukim, është investim në rininë e Kosovës , në të ardhmen e Kosovës, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ju”, theksoi z. Stock, i cili shtoi se Bashkimi Evropian do të vazhdoj të investoi në ndërtimin e shkollave të reja.
Last modified: 30 Gusht, 2022