MASHT

Ministri Bajrami në Washington ka zhvilluar takime të rëndësishme për arsimin

15 Shtator, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Washington, është pritur sot nga Drejtorja Ekzekutive  e Bankës Botërore për Edukimin Global, znj. Claudia Costin.
 
Gjatë këtij takimi është biseduar për implementimin e kredisë, e cila ditë më parë është aprovuar nga Banka Botërore për reformimin e arsimit në Kosovë. Ministri Bajrami u zotua se do të mbikëqyrë implementimin e këtij projekti, i cili ka për qëllim  ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit në vendin tonë.
 
Zyretarët e lartë të Bankës Botërore theksuan se janë shumë të kënaqur me vizionin dhe prioritetet e identifikuara nga ministri Bajrami, dhe janë zotuar për vazhdimin e partneritetit ndërmjet Bankës Botërore dhe Ministrisë së Arsimit.
 
Ministri Bajrami ka vizituar edhe Universitetin “James Medision”, si dhe Universitetin “Eastern Mennonite”, ku me udhëheqësit e këtyre universiteteve ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit me universitetet në Kosovë dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë kosovarë për studime në këto universitete.


 
Ministri ka psur një takim edhe me kongresmenin Eliot Engel, të cilin e ka falënderuar për ndihmën e madhe që i ka dhënë Kosovës. Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për ndihmën që po japin ShBA-të për arsimin në Kosovë përmes organizatave të tyre dhe krijimit të mundësive të reja për investime në këtë sektor.
 
Gjatë kësaj vizite treditore në Washington, ministri Bajrami do të ketë edhe takime tjera të rëndësishme.

Last modified: 31 Gusht, 2022