Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në tryezën “Edukimi për punë – Plotësimi i nevojave të tregut të punës”, në të cilën u diskutua lidhur me vizionet, sfidat dhe planet e Ministrisë së Arsimit, sa i përket përgatitjes së kuadrove të kompetencës.
Ministri Bajrami, me këtë rast ka theksuar se, arsimi i profesional në Kosovë ende nuk është shumë funksional, dhe ka përmendur edhe strategjitë e MAShT-it në përmirësimin dhe funksionalizmin e sistemit të arsimit, i cili prodhon kuadro për tregun e punës.
“Kemi filluar procese strategjike që arsimi i mesëm i lartë në Kosovë të jetë arsim i orientimit të të rinjve për tregun e punës. MAShT ka krijuar një komision drejt specializimit të ngushtë të shkollave profesionale, e cila nënkupton përgatitjen e stafit profesional të mësimdhënësve, mësimin dual, kurrikulën adekuate dhe sigurimin e literaturës”, theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami, po ashtu tha se Ministria e Arsimit është duke punuar që të sigurojë lidhjen në mes të bizneseve dhe shkollave profesionale në Republikën e Kosovës, duke kërkuar bashkëpunimin edhe të Odës Ekonomike Amerikane në këtë drejtim.
Duke folur për sektorin e bujqësisë si një resurs i pashfrytëzuar, ministri Bajrami ka shpalosur edhe vizionin e Ministrisë së Arsimit për krijimin e një institucioni, i cili do të përgatiste kuadro profesionale për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.
Ministri Bajrami, ndër të tjera ka folur edhe për krijimin e universiteteve të specializuara, si mundësi për krijimin e një ekonomie të fortë në Kosovë.
Në këtë tryezë panelistë ishin edhe Alejtin Berisha, kryesues i Komitetit të Edukimit në Odën Amerikane, Enkelejda Shatri nga Akademia Evolucion dhe Fikret Havolli, menaxher Ekzekutiv në Orbico.
Last modified: 1 Shtator, 2022