Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në takimin e parë të të 54 të përzgjedhurve, në kuadër të projektit ATOMI, i cili merret me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme.
Kjo përzgjedhje është bërë në kuadër të ciklit të katërt të funksionimit, dhe gjatë këtij cikli Projekti ka identifikuar nxënësit nga klasa VIII deri në të XII-ën, që përfshijnë të gjithë fëmijët e shkollave të mesme të larta në Kosovë.
Ministri Bajrami, u shpreh krenar me nxënësit, ndërsa tha se për fëmijët me inteligjencë nuk mjafton vetëm ajo që marrin nga shkollat, por nevojiten edhe kushte shtesë që të arrijnë të realizojnë veten.
Ministri Bajrami, po ashtu, shprehu mbështetjen e plotë të Ministrisë së Arsimit për Projektin ATOMI dhe kërkoi nga Projekti që të punojë edhe në identifikimin e hershëm të fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme, duke filluar qysh nga klasat e para të shkollimit fillor.
Ministri Bajrami tha se synimi i MAShT është arsimi cilësor, me theks të veçantë, arsimi i fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme dhe talentëve.
“Ju, atomistët do të jeni liderë të së ardhmes dhe do të jeni ndryshues të mentalitetit dhe të menduarit në shoqërinë tonë”, iu tha ministri nxënësve të përzgjedhur nga Projekti.
Kësaj radhe, nga 1028 aplikues, përmes përdorimit të testeve të standardizuara të inteligjencës, me norma britanike dhe amerikane, janë përzgjedhur gjithsej 54 atomistë nga mbarë Kosova.
Last modified: 29 Gusht, 2022