MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në Takimin e dymbëdhjetë Ndërkombëtar të Institutit Alb-Shkenca

2 Shtator, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë sot në Konferencën shkencore të Takimit të dymbëdhjetë Ndërkombëtar të Institutit Alb-Shkenca, në të cilin po marrin pjesë shkenctarë dhe studiues nga të gjitha viset shqiptare dhe nga vende të ndryshme të botës.

Me këtë rast, ministri Bajrami theksoi rëndësinë e madhe të kësaj ngjarje dhe tha se po shndërrohet në një forum ndërkombëtar të shkencës, si një mundësi e mirë e këmbimit dhe e përparimit shkencor.

Ministri theksoi se, edhe pse MAShT e ka mbështetur, kjo ngjarje ka nevojë për përkujdesje shtetërore, ndërsa bëri apel te qeveritë që pritet të konstituohen në Tiranë e Prishtinë, që të rriten fondet për shkencë, në mënyrë që të stimulohen hulumtuesit dhe shkenctarët e rinj, të cilët me punën e tyre do të mund të ndihmojnë edhe në zhvillimin e përgjithshëm të inovacionit, por edhe të zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve.

“Ne duhet të mos kufizohemi vetëm në qeveritë tona, të cilat asnjëherë nuk kanë buxhet të mjaftueshëm, por duhet të gjejmë edhe rrugë për të depërtuar në fondet ndërkombëtare”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se është një lajm i mirë që Kosova këtë vit është pranuar në programin Erasmus+.

Ministri Bajrami tha se janë tri objektiva për të stimuluar hulumtimin shkencor: forcimi dhe zhvillimi i kapaciteteve të universiteteve tona, caktimi i prioriteteve të shkencës, si dhe stimulimi i hulumtuesve të rinj.

Punimet e Takimit të dymbëdhjetë Ndërkombëtar të Institutit të studiuesve shqiptarë Alb-Shkenca do të zgjasin tri ditë.  

Me respekt,

Divizioni për Komunikim Publik
Tel: 038/ 213 065

Last modified: 25 Gusht, 2022