Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë Simpoziumin Mbarëshqiptar në Shkencat Kompjuterike, i cili ka për qëllim prezantimin e punimeve të shkencave kompjuterike nga profesorë shqiptarë të kësaj fushe, të cilët jetojnë në diasporë.
Ministri Bajrami, me këtë rast vlerësoi se, ky Simpozium është një mundësi e mirë për të parë mundësitë që ofron teknologjia e informacionit në zhvillimin shkencor, akademik dhe industrial të vendit, në një kohë të revolucionit teknologjik, i cili është sfidë për të gjitha shtetet.
Ministri Bajrami tha se, Republika e Kosovës si një shtet i ri duhet sa më shpejtë të jetë pjesë e këtij procesi global, në mënyrë që përmes shkencave kompjuterike dhe zhvillimit të teknologjisë së informacionit të mundësohet edhe zhvillimi ekonomik.
Ndër të tjera, Ministri theksoi se, Ministria e Arsimit mbështet në vazhdimësi hulumtuesit e rinjë përmes ndarjes së bursave të plota, ndërkaq ka ftuar studentët pjesëmarrës që të jenë pjesë e këtyre programeve, sidomos në shkencat ekzakte dhe kompjuterike, në mënyrë që të përsosin ngritjen e tyre akademike dhe të kthehen në Kosovë për të kontribuar.
Pjesëmarrës në këtë simpozium dyditor do të jenë profesorë të njohur shqiptarë të diasporës nga fusha e shkencave kompjuterike, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Austria, Gjermania, Italia, Franca, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Last modified: 29 Gusht, 2022