Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë sot në ceremoninë e shënimit të 75 vjetorit të themelimit të Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, i cili është edhe një nga institucionet e para të arsimit të mesëm shqip në Kosovë.
Ministri Bajrami, me këtë rast, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për këtë ditë feste, njëherësh ka përgëzuar mësimdhënësit aktualë, por edhe gjenerata të tëra të mësimdhënësve të këtij institucioni, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar në kohë të vështira për të edukuar dhe arsimuar të rinjtë tanë.
“Padyshim që ky gjimnaz, me punën që ka bërë që nga themelimi, ka arritur që të jetë ndër shkollat më cilësore në vendin tonë dhe sot, të nderuar mësimdhënës, për këtë meritat i keni ju. Nga ky gjimnaz kanë dalë njerëz që kanë bërë emër edhe në shkencë, por edhe që kanë marrë barrën e sistemit arsimor në kohët më të vështira”, tha ministri Bajrami.
Ministri theksoi se ky është edhe një moment falënderimi për punën e bërë të mësimdhënësve, por edhe një moment i thirrjes për të gjithë, që të punojmë edhe më shumë për të ndërtuar një sistem cilësor të edukimit për fëmijët dhe të rinjtë tanë, të cilët më pas do ta zhvillojnë shtetin tonë.
Ministri Bajrami ofroi mbështetjen e plotë për mësimdhënësit që të zhvillojnë karrierën dhe të përsosin metodologjinë e mësimdhënies, ndërsa iu bëri ftesë edhe prindërve dhe të gjithë shoqërisë që të mbështesin shkollat në ngritjen e performancës.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, i cili gjithashtu ka përgëzuar mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle për sukseset e shënuara ndër vite.
Në këtë ceremoni u shfaq një program artistik i përgatitur nga nxënësit e Gjimnazit “Sami Frashëri”.
Last modified: 29 Gusht, 2022