MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në shënimin e 6- vjetorit të themelimit të Universitetit të Prizrenit

12 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 6- vjetorit të themelimit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka theksuar se, këto gjashtë vite të suksesshme të UPz-së tregojnë se sa ka qenë i drejtë vendimi i Qeverisë së Kosovës për themelimin e këtij universiteti. “Ky Universitet është vatër e rëndësishme e edukimit dhe përgatitjes së kuadrove jo vetëm për Komunën e Prizrenit dhe komunat përreth, por për gjithë Kosovën”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami, po ashtu tha se, Universiteti i Prizrenit promovon mësimdhënien e shekullit 21, me mësimdhënës të përkushtuar, studentë proaktiv dhe zhvillim të veprimtarisë hulumtuese shkencore.

“Dëshirojmë që ky universitet të jetë promotor i stabilitetit, i rendit akademik dhe hulumtimit shkencor, sepse jam i sigurt që kemi gjenerata jashtëzakonisht iteligjente. Nuk mund të paramendohet një universitet i suksessshëm pa studentë aktivë, kritikë dhe kërkues, studentë të cilët i qojnë proceset përpara”, tha ministri Bajrami.



Ndërsa, rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, z. Ramë Vataj  ka folur për zhvillimin e UPz-së që nga themelimi i tij dhe angazhimin e menaxhmentit për avancim të mëtejshëm të këtij universiteti.

Në ceremoninë e shënimit të 6- të vjetorit të UPz-së të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Ramadan Muja, rektorët e universiteteve të tjera publike në Kosovë, profesorë dhe studentë.

Last modified: 31 Gusht, 2022