Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në shënimin e 45 vjetorit të themelimit të Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ku foli për suksesin dhe rezultatet e nxënësve të këtij Gjimnazi dhe punën e palodhshme të mësimdhënësve dhe drejtuesve të saj.
Ministri Bajrami, pasi ka urur të gjithë pjesëmarrësit për shënimin e përvejtorit të themelimit, theksoi se Gjimnazi “Xhevdet Doda” është vatër e rëndësishme e edukimit të rinisë dhe përgatitjes së tyre, për të qenë liderë të institucioneve të rëndësishme të vendit.
“Ky Gjimnaz ka arritur që të kultivojë një edukim të avancuar dhe të profilizohet në një gjimnaz natyror. Të gjithë mësimdhënësve duhet t’iu bëjmë falënderim të veçantë për punën e tyre”, theksoi ministri Bajrami, duke shtuar se, meritat e këtij gjimnazi në të kaluarën, ndërlidhen me historinë e popullit të Kosovës dhe edukimin në rrethana të mbijetesës.
“ Ne kemi ditur të mbijetojmë edhe atëherë kur shpresa ka qenë e venitur dhe pikërisht fuqia e mësimdhënësve dhe shkollave e ka mbajtur vitalitetin e popullit, duke treguar që edukimi është i rëndësishëm në kultivimin e ndjenjës së atdhedashurisë dhe përgatitjes së nxënësve në frymën e një edukimi pozitiv”, është shprehur ministri Bajrami.
Ndër të tjera, ministri Bajrami ka folur edhe për promovimin e metodave të avancuara nga mësimdhënësit e këtij gjimnazi dhe zbatimin e suksesshëm të Kornizës së Re Kurrikulare, ndërkaq ka ofruar përkrahjen e plotë të Ministrisë së Arsimit për mësimdhënësit, si një ndër shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit të shoqërisë.
Për punën dhe promovimin e një edukimi cilësor të Gjimnazit “Xhevdet Doda”, ka folur edhe znj. Arbërie Nagavci, drejtore e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë.
Last modified: 29 Gusht, 2022