Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë , z. Arsim Bajrami, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të angazhimit të UNICEF-it në Kosovë, ditë kjo që shënohet në Ditën Universale të Fëmijës.
Në këtë ceremoni, mori pjesë edhe presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, udhëheqësja e UNICEF-it në Kosovë, znj. Laila Omar Gad, ministra, zyrtarë qeveritarë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ministri Bajrami në fjalën përshëndetëse, ndër tjera foli kontributin shumëvjeçar të UNICEF-it në Kosovë, si partner strategjik për rindërtimin e vendit dhe rehabilitimin e sistemit të arsimit në Kosovë.
“Në këtë kohë kur po festojmë 20 vjetorin e punës së UNICEF-it, kur ne po festojmë Ditën Universale të Fëmijëve, padyshim duhet të vlerësojmë përpjekjet që ka bërë UNICEF-i në kohë shumë të vështira dhe përpjekjet që po bën sot në aspektin e gjithpërfshirjes në arsim”, tha ministri Bajrami.
“Jemi ta angazhuar që të gjithë fëmijët parashkollor nga mosha 5 vjeçare të përfshihen në sistemin parashkollor dhe po hartojmë një kurrikulë të veçantë për këtë moshë, ndërsa kemi promovuar dhe certifikuar mësimdhënësit që do të jenë të aftë të ofrojnë mësimdhënie moderne”, tha ministri.
Ministri Bajrami theksoi se MAShT bashkë me UNICEF dhe organizata tjera partnere po punon që të sigurojë çasje në arsim për të gjithë fëmijët, e po ashtu edhe për modernizimin e ambienteve shkollore. Ai po ashtu foli për punën e vazhdueshme në drejtim të shkollimit për grupet e margjinalizuara.
“Do të angazhohemi që përmes edukimit të parandalojmë dukuritë negative që janë tipike për shoqëritë tranzicionale. Dëshirojmë që fëmijët tanë të bëhen të dobishëm për veten e tyre, për familjen dhe shtetin tonë, andaj gjithëpërfshirja është interes nacional i vendit tonë”, tha në fund ministri Bajrami.
Last modified: 30 Gusht, 2022