Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në punëtorinë ku është diskutuar roli i Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur në zhvillimin e arsimit profesional në Kosovë.
Ministri Bajrami, duke folur për zhvillimin e arsimit profesional në Kosovë, tha se në kuadër të reformave që Qeveria e Kosovës është duke zhvilluar në arsimin parauniversitar, rëndësi të veçantë i është kushtuar zhvillimit të arsimit profesional dhe përshtatjes së tij me nevojat e zhvillimit ekonomik dhe të tregut të punës.
“Në programin e Qeverisë së Kosovës, arsimi profesional zë vend qëndror në tri segmente: në caktimin e standardeve kombëtare të arsimit profesional, në lidhjen e arsimit profesional me planin kombëtar të zhvillimit ekonomik dhe në përshtatjen e arsimit profesional me nevojat e tregut të punës”, theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami, po ashtu tha se, duhet hartuar një Kurrikulë e përshtatshme për shkollat profesionale, duhet ndërtuar një sistem i mësimdhënësve të përgatitur për mësimin dual dhe duhet krijuar partneritetin e nevojshëm midis shkollës dhe biznesit.
Last modified: 29 Gusht, 2022