Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka marrë pjesë në ceremoninë e promovimit të studentëve nga Kosova të diplomuar në Universitetin e Sheffield-it, të cilët kanë studiuar në Selanik të Greqisë.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili mori edhe çmimin për meritat në lidership dhe shërbim ndaj komunitetit, nga Universiteti i Sheffield
Kryetari Veseli foli për nevojën e ngritjes së kapaciteteve arsimore në Kosovë, si parakusht për zhvillim të hovshëm ekonomik. Ai tha se Kosovës sot i duhet një transformim i fuqishëm ekonomik, i cili do t’i mundësonte asaj zgjidhjen e një varg problemeve që vijnë si pasojë e papunësisë.
Ministri Bajrami, ndërkaq, tha se Kosova është një vend që ka potenciale. “Potencialet e këtij vendi janë të rinjtë, kjo rini e shkëlqyeshme, e cila meriton një perspektivë më të mirë, meriton një të ardhme më të mirë. Dhe ne të gjithë po punojmë që këtë të arrijmë”, tha Bajrami, ndërsa theksoi se MAShT dhe Qeveria e Kosovës do të vazdojë të sigurojë bursa dhe mundësi për studime edhe më të mëdha për të rinjtë e Kosovës.
Rektori i Universitetit të Sheffild-it, Yannis Ververidis tha se deri më tani në këtë universitet i kanë ndjekur studimet rreth 200 studentë nga Kosova, të cilët janë kyçur nëpër pozita të rëndësishme, si në politikë ashtu edhe në fusha tjera të jetës.
Last modified: 29 Gusht, 2022