MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në ndarjen e çmimit “Doctor Honoris Causa” për znj. Rosemary A. DiCarlo nga Universiteti i Pejës

29 Maj, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa”, ambasadores amerikane në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, znj. Rosemary A. DiCarlo, nga ana e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.

“Është ky një moment falënderimi e nderimi për një rrugëtim të përbashkët prej dy dekadash, një rrugë dhe ëndërr, e cila do të ishte e pamundshme pa mbështetjen e fuqishme të popullit dhe shtetit amerikan, rrugëtim që bëri të mundur ndërtimin e shtetit, institucioneve dhe universiteteve tona, rrugëtim që mundësoi ndërtimin e idealeve tona liridashëse”, theksoi ministri Bajrami.

Duke folur për kontributin e SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës, tha se në momentet më të vështira, kur mbase ishim të pashpresë, mbështetja e popullit dhe shtetit amerikan bëri që ne të ringjallim shpresat dhe të ndërtojmë të ardhmen tonë, andaj do të jemi falënderues përgjithmonë.

Në vazhdim, ministri Bajrami, në mënyrë të veçantë përkujtoi kontributin e sekretares së shtetit znj. Madeleine Albright dhe të ish presidentit të SHBA-ve, z. Bill Clinton në proceset e shtetndërtimit të Kosovës.

Në fund, ministri Bajrami tha se, ne tashmë kemi 7 vite që kemi themeluar shtetin tonë, e që është një storie e suksesit edhe për bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa roli i znj .Rosemary A. DiCarlo, në këtë proces është i jashtëzakonshëm, andaj do të mbetet përherë në kujtesën e popullit dhe shtetit tonë.

Last modified: 29 Gusht, 2022