Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në konferencën për lansimin e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim- KEEN”, i cili ndër të tjera ka për qëllim përmirësimin e punësueshmërisë së grupeve në nevojë në Kosovë dhe përfshirjen e tyre në zhvillimin e politikave, në vendimmarrje dhe në monitorimin e zbatimit të tyre në nivel qendror dhe lokal.
Ministri Bajrami me këtë rast tha se, ky projekt është shumë i rëndësishëm jo vetëm për dy ministritë e linjës, por për gjithë Qeverinë e Kosovës në aspektin e realizmit të Strategjisë për Zhvillim Ekonomik, ku krijimi i kapitalit njerëzor dhe krijimi i resurseve humane është një mundësi për të nisur një cikël të zhvillimit të vendit.
Ministri Bajrami, duke folur për cilësinë e arsimit në Kosovë, si një komponentë e rëndësishme për punësim dhe zhvillim ekonomik, tha se një arsim cilësor do të prodhojë kuadro me shkathtësi dhe kompetencë, të afta për profesionin dhe zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësisë.
“Është jashtëzakonisht i rëndësishëm ndërtimi i një sistemi arsimor i cili siguron ndërtimin e personalitetit të të rinjve, krijimin e një mirëqenie të përgjithshme dhe një proces të zhvillimit ekonomik. Ne kemi një rini inteligjente, që nuk është asgjë prapa rinisë evropiane dhe nëse kësaj rinie i krijojmë një sistem arsimor cilësor, të orientuar mirë, atëherë kemi siguruar perspektivën e vendit tonë”, theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami foli edhe për realizimin e Projektit ALLED dhe orientimin e Ministrisë së Arsimit në krijimin e një sistemi arsimor i cili do të mundësojë orientimin e hershëm të nxënësve në karrierë, promovimin e mësimit dual në shkolla dhe hartimin e një kurrikule kompetente.
Ministri Bajrami përmendi edhe faktin se MAShT ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh për përfshirjen e nxënësve dhe studentëve në punën praktike profesionale, gjë e cila do të mundësojë aftësimin e të rinjve, një kohësishtë do të nxisë edhe interesimin e ndërmarrjeve për të mbështetur ngritjen profesionale të tyre.
Last modified: 30 Gusht, 2022