Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në hapjen e punimeve të Konferencës shkencore ndërkombëtare “ Migrimet dhe diaspora në Ballkanin Perëndimor”, e organizuar nga Fakulteti Filozofik, me rastin e shënimit të 9 Majit- Ditës së Eropës.
Ministri Bajrami me këtë rast ka theksuar rëndësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, duke i bërë thirrje BE-së që ta trajtojë Kosovën si shtet me të drejta të barabarta.
Ministri Bajrami ka vlerësuar se, Kosova është vend i cili po zhvillohet dhe do të mund të jetë model i vendeve të suksessshme në Bashkimin Evropian, ndërkaq tha se, organizimi i konferencave të tilla është forma më e mirë që qytetarët e Kosovës t’u bashkohen debateve që po bëhen në BE për të ardhmen e Evropës.
“Në këtë kohë kur po rritet skepticizmi dhe ka shumë njerëz që po dyshojnë në ëndrrat e themeluesve të Bashkimit Evropian, pa dyshim që qytetarët e Kosovës ku do që jetojnë janë ata që meritojnë të jenë evropianë, të barabartë, të kenë respekt dhe të përfshihen në proceset e globalizmit si qytetarë të barabartë, të denjë dhe përfaqësues të një populli të lashtë i cili gjithmonë ka qenë me vlera proevropiane”, është shprehur Ministri.
Ministri Bajrami ka theksuar edhe një herë faktin se, Kosova ka një rini të orientuar krejtësisht nga perëndimi, ndërkaq i ka bërë thirrje BE- së që të hap derën për shkencëtarët dhe që t’u mundësojë atyre të jenë konkurrues me shkencëtarët evropianë.
Në këtë Konferencë po marrin pjesë dekanë të fakulteteve dhe studiues nga vendet e rajonit dhe më gjerë.
Last modified: 26 Gusht, 2022