Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z Arsim Bajrami mori pjesë në konferencën përmbyllëse të Programit për Arsim Themelor të USAID-it, i cili për 6 vite është zbatuar në rreth 600 shkolla të mesme të ulëta, në 32 komuna të Kosovës .
Programi për Arsim Themelor i USAID-it është dizajnuar në mënyrë që të përfitojnë të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë (klasa 1- 9), ndërsa motoja e programit ishte Zhvillimi i Shkathtësive të Nxënësve të Shekullit 21 me Shkollat dhe Komunitetet.
Ministri Bajrami me këtë rast ka falënderuar qeverinë amerikane për ndihmën që po i jep Ministrisë së Arsimit, në reformimin e sistemit arsimor, me theks të veçantë edukimin bazik.
“Gjatë këtyre viteve kemi parë me shumë zell përkushtimin e nxënësve. Ne kemi nxënës shumë të mirë dhe të përkushtuar, të cilët po tregojnë qasje inovative që në moshë të hershme. Ky projekt ka treguar se reformimi i sistemit arsimor nuk është mision i pamundur, në qoftë se të gjithë u qasemi nxënësve me dashuri, përkushtim dhe me profesionalizëm”, ka theksuar ministri Bajrami.
Ministri Bajrami, ndër të tjera tha se, ky projekt gjithashtu ka përgatitur mësimdhënës të shekullit 21 dhe jemi të kënaqur që po e përmbyllim me sukses, ndërsa do të punojmë për të krijuar partneritete të reja, në fushën e arsimit të lartë dhe transformim të lidershipit.
Ndërkaq, drejtori i USAID-it në Kosovë, z. James Hope tha se është i lumtur që me këtë projekt kanë përfituar nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave të Kosovës dhe është ndihmuar procesi i reformimit të arsimit në Kosovë. Drejtori Hope gjithashtu falënderoi Ministrinë e Arsimit për, siç tha ai partneritet të shkëlqyeshëm në realizim të projektit.
Në fund u prezantua dokumentari “Ndikimi i Programit për Arsim Themelor të USAID- it dhe implementimi gjashtë vjeçar i Programit”, përmes të cilit u paraqitën rezultatet kryesore.
Last modified: 29 Gusht, 2022