MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në Konferencën për Menaxhimin Financiar në Arsimit e Lartë në Kosovë

2 Dhjetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në Konferencën Nacionale për Menaxhimin Financiar në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në Kosovë, që mbështetet nga projekti i Tempus-it dhe disa universitete nga vende të Bashkimit Evropian.

Ministri Bajrami, me këtë rast theksoi se, përfundimet e nxjerra nga kjo Konferencë do të jenë të rëndësishme, në gjetjen e formulës adekuate të financimit, e cila do të sigurojë cilësi.
“Konkluzionet e kësaj Konference do të jenë një kontribut i rëndësishëm që ne të gjejmë formulën adekuate të financimit të universiteteve, një formulë e promovimit të ekonomisë së tregut dhe lidhjes së arsimit të lartë me biznesin, e cila do të sigurojë ngritjen e cilësisë në arsim dhe llogaridhënien në menaximin e financave publike”, ka thënë ministri Bajrami.

Ministri Bajrami, po ashtu tha se, arsimi i lartë është pjesë e ekonomisë moderne dhe si i tillë duhet të ketë formulë të qëndrueshme në financimit, ndërkaq shtoi se Qeveria e Kosovës është  duke punuar që universitetet të shndërrohen në promotor të zhvillimit ekonomik të vendit, përmes një Planifikimi Strategjik të Financimit, në të cilin duhet të vendosen tri komponenta të rëndësishme.

“Janë tri komponenta që dëshirojmë t’i vendosim në Skemën e Financimit të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë: Kapaciteti institucional i institucioneve, përfshirë stafin, nevojat për studentë, për aktivitete të mësimdhënies moderne, ku nuk përfshihen vetëm pagat. Skema e dytë do të jetë fusha kërkimore shkencore, aktivizimi i burimeve të brendshme në zhvillimin e aktiviteteve kërkimore shkencore. Dhe skema e tretë, partneriteti i universiteteve me bizneset, ku secili mësimdhënës punon projekte, zhvillon kapacitetet personale, por edhe krijon të hyra për institucionet”, theksoi ministri Bajrami.

Ndërsa, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Stergios Tragoudase tha se, ky projekt do të ndikojë në transformimin e Kosovës në një vend më atraktiv në fushën e arsimit të lartë dhe në modernizimin e financimit të institucioneve të arsimt të lartë.

Last modified: 30 Gusht, 2022