Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z Arsim Bajrami mori pjesë në Konferencën Kombëtare për Arsimin Profesional të Kosovës “AAAPARr Mision për Reformimin e AAP-së”, e organizuar nga Agjencia e Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe Arsimit për të Rritur, në bashkëpunim me Agjencinë e Arsimit dhe Formimit Profesional të Republikës së Shqipërisë.
Organizimi i kësaj konference ka për qëllim kontributin për reformimin sa më të plotë dhe më të suksesshëm të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe Arsimit për të Rritur në Kosovë.
Ministri Bajrami, pasi elaboroi funksionin dhe punën e institucioneve në zhvillimin dhe avancimin e arsimit profesional dhe përshtatjen e tij me kërkesat e tregut të punës, tha se kjo konferencë do të kontribuojë në rishikimin e politikave të Ministrisë së Arsimit, duke qenë se ka ardhur koha për shkurtim të afatit të pilotimeve dhe ndërtimit të institucioneve të mirëfillta, të cilat i përshpejtojnë zhvillimet në këtë sektorë.
“Viti i ardhshëm do të jetë kthesë e rëndësishme për Arsimin Profesional sepse do të punojmë në ndërtimin standardeve në Arsimin Profesional, do të hartojmë kurrikulën e përshtatshme, do të angazhohemi në sigurimin e teksteve dhe trajnimin e mësimdhënësve, si dhe do të nënshkruajmë marrëveshje me kompanitë dhe bizneset, në mënyrë që të mundësojmë mësimin dual të nxënësve. Shkollat profesionale kanë nevojë për mbështetje institucionale sepse këto shkolla kanë kosto”, theksoi ministri Bajrami.
Minisri Bajrami po ashtu ripërsëriti synimin e Ministrisë së Arsimit për decentralizmin e kompetencave dhe autonominë financiare të shkollave.
Ndër të tjera, ministri Bajrami theksoi rëndësinë e zhvillimit të arsimit profesional, si mundësi e mirë për punësim dhe zhvillim ekonomik.
Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i AAAPARr, z. Ragip Gjoshi foli për rolin e agjencisë, si institucion i cili u mundëson të rinjëve të bëhen pjesëmarrës aktiv në tregun e punës.
Gjoshi shprehu besimin e tij se, rezultatet e kësaj konference do të mundësojnë profilizimin e duhur të AAAPARr pas 1 shtatorit të vitit 2016.
Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme që merren me Arsim dhe Aftësim Profesional, përfaqësues te shkollave profesionale, përfaqësues nga AAP e Republikës së Shqipërisë, donatorë, ekspert vendor dhe ndërkombëtar të kësaj fushe.
Last modified: 30 Gusht, 2022