MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në hapjen e Simpoziumit shkencor “Avancimi i hulumtimeve në arsim”

14 Qershor, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në hapjen e Simpoziumit shkencor me temën: “Avancimi i Hulumtimeve në Arsim”, i cili është organizuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit “Hasan Prishtina”, në partneritet me Projektin e USAID- it për Transformimin e Lidershipit dhe Projektin e TEMPUS-it “Modernizimi i përgatitjes së mësimdhënësve”.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka vlerësuar lartë partneritetin startegjik në mes të Fakultetit të Edukimit, Projektit të USAID-it dhe Projektit të TEMPUS-it, në zhvillimin e edukimit bazik dhe përgatitjen e menaxherëve dhe mësimdhënësve, sa i përket punës praktike me nxënës dhe vendosjes së standardeve në arsim.

“Jam shumë i kënaqur që ky Simpozium ka bërë bashkë kaq shumë profesorë dhe partner të Fakultetit të Edukimit. Me kënaqësi do të shoh përfundimet e kësaj konference, për të diskutuar pastaj me udhëheqjen e fakultetit dhe me rektorin Demaj lidhur me procesin tonë të përbashkët, të avancimit të politikave për përgatitjen e mësimdhënësve”, është shprehur ministri Bajrami. 

Ministri Bajrami ka folur edhe për miratimin e Strategjinë kombëtare për ngritjen e cilësisë në arsim 2016- 2021, e cila ka për qëllim krijimin e një arsimi cilësor parauniversitar, si dhe reformimin e Fakultetit të Edukimit, përmes krijimit të standardeve për përgatitjen e mësimdhënësve.

Qëllimi i Simpozimumit shkencor- akademik është që t’i bëjë bashkë mësimdhënësit e Fakultetit të Edukimit për të kordinuar, kontrolluar dhe shtyrë përpara zbatimin e Strategjisë së Hulumtimeve të Fakultetit të Edukimit 2016- 2021.

Last modified: 29 Gusht, 2022