Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të gjeneratës së dytë të nxënësve dhe studentëve të aftësuar (trajnuar) profesionalisht sipas programit të Akademisë së KEDS-it.
Ishin 50 nxënës dhe studentë nga të gjitha viset e Kosovës, që për 6 muaj rresht morën njohuri profesionale për teknologji dhe menaxhim të energjisë elektrike, ndërkaq diplomat e lëshuara nga Universiteti Bogazici (Turqi) janë të pranuara ndërkombëtarisht.
Ministri Bajrami, në fjalën e tij të rastit, ndër të tjera tha se, kjo ngjarje tregon se investimi në arsim është investim në zhvillimin ekonomik, sepse po krijojmë resursin kryesor për zhvillimin ekonomik: një gjeneratë e re me shkathtësi dhe kompetenca që nesër do marrë përsipër zhvillimin ekonomik.
“Ne si Ministri, jemi shumë të lumtur që po promovojmë edhe ndërlidhjen e ekonomisë dhe edukimit dhe ky shembull i kompanisë së KEDS-it , tregon se si duhet që edhe kompanitë tjera të kenë edhe komponentën e edukimit.
Kjo njëherit tregon se si duhet të krijojmë partneritet me shkollat profesionale që të rinjtë tanë t’i aftësojmë sa më mirë për tregun e punës”, tha ministri Bajrami.
Ky program u mbështet edhe nga MASHT-i, Universiteti i Prishtinës dhe kompanitë Calik dhe Limak të Turqisë, ndërsa do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Last modified: 31 Gusht, 2022