MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në ceremoninë e betimit të grupit të dytë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë

22 Gusht, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në ceremoninë e betimit të grupit të dytë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë, me ç’ rast theksoi se ardhja e këtij korpusi në Republikën e Kosovës paraqet një ngjarje shumë të rëndësishme, në kultivimin e diversitetit etnik, kulturor dhe gjuhësor.

Ministri Bajrami tha se, kontributi i të rinjve nga amerika për dy vite radhazi në Kosovë, është jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për shtetin prej nga ata vijnë, por edhe për Republikën e Kosovës.

“Paqja dhe miqësia janë vlera që për ne si vend i ri kanë një rëndësi shumë të madhe. Ne jemi shumë të lumtur që në vitin 2014 Kosova është bërë vendi i 140-të që mirëpret vullnetarët e Korpusit të Paqës. Këtë vit ne po mirëpresim 36 vullnetarë, ndërsa vitin që vjen do të jenë 40”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami ndër të tjera, vlerësoi lartë edhe interesimin e të rinjve nga Kosova për tu pajisur me dije të re dhe për të thelluar njohuritë e tyre në gjuhën angleze, ndërkaq ripërsëriti edhe një herë angazhimin e Ministrisë së Arsimit në krijimin e një sistemi cilësor të edukimit.

“Vendi ynë është vend që ka kaluar nëpër një histori të dhimbshme, por ne jemi të vendosur që të krijojmë një ambient joshës për të rinjtë sepse kemi një rini të shkëlqyeshme e cila meriton edukim të mirëfilltë”, u shpreh ministri Bajrami.
Në ceremoninë e betimit të gjeneratës së re të Korpusit të Paqes, fjalë rasti mbajtën edhe presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi, drejtori i Korpusit të Paqes në Kosovë, z. Stephen Kutzy dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Greg Delawie.

Last modified: 1 Shtator, 2022