MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në ceremoninë e 2 vjetorit të themelimit të Universiteteve “ Kadri Zeka”, “Isa Boletini” dhe “Fehmi Agani”

6 Mars, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në ceremoninë e festimit të 2 vjetorit të themelimit të universiteteve publike: “Kadri Zeka” në Gjilan, “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe “Fehmi Agani” në Gjakovë, e cila këtë vit u mbajt në Gjilan.

Me këtë rast, ministri Bajrami, ndër tjera tha se, kjo është një ditë e veçantë për arsimin e lartë në Kosovë , sepse po shënojmë përvjetorin e dytë të themelimit dhe të punës së suksesshme të universiteteve publike në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë. “Jemi mbledhur këtu për të festuar dhe t’u zotuar që të punojmë bashkë që këto universitete të reja t’i bëjmë vatra të fuqishme të arsimit dhe edukimit”.

Në vazhdim, ministri Bajrami theksoi se, Qeveria do të punojë me përkushtim të plotë në zhvillimin e kapaciteteve të plota të këtyre universiteteve. “Do të përkrahim synimet e këtyre universiteteve në ngritjen e cilësisë dhe ndërtimin e kampuseve moderne në mënyrë që të ofrojmë arsim cilësor me standarde evropiane”.

Po ashtu, theksoi ministri, do të promovojmë autonominë e plotë financiare dhe akademike të universiteteve, bashkëpunimin ndëruniversitar dhe programe të reja për studim.

Ministri Bajrami foli edhe për Ligjin për Arsimin e Lartë dhe atë për Profesionet e Rregulluara dhe ftoi studentët dhe profesorët që të jenë pjesë e diskutimeve, sepse siç tha ai, këto ligje do të jenë në favor të studentëve dhe cilësisë.

Ministri Bajrami ftoi studentët që të kërkojnë kushte më të mira për studim dhe profesorë më të përgatitur. Sa i përket Universitetit të Gjilanit, ministri Bajrami theksoi rëndësinë gjeografike që ka ky Universitet, sepse e lidhë këtë pjesë të Kosovës me Luginën e Preshevës.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.