MASHT

Ministri Bajrami mbajti ligjëratë për reformat në sistemin arsimior gjatë Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

27 Gusht, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka mbajtur sot ligjëratë për reformën në sistemin arsimor, e në veçanti për reformën në arsimin e lartë, gjatë zhvillimit të punimeve në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Para pjesëmarrësve në këtë Seminar, ministri Bajrami ka folur për çasjen ndaj reformës së arsimit të lartë. “Nuk ka asgjë më të rëndësishme për një shtet se sa një reformë e mirë e sistemit arsimor në përgjithësi, e në veçanti e arsimit të lartë, sepse ky nivel i arsimit është promotor i ndryshimeve shoqërore, ndërrimit të mentaliteteve dhe i zhvillimit ekonomik”.

Ministri Bajrami përmendi faktin se tashmë ka përfunduar debati publik dhe janë dërguar në Qeveri për miratim dy ligje: Ligji për Arsimin e Lartë dhe ai për Profesionet e Rregulluara.



Duke folur për ndryshimet që do të sjellë Ligji i ri për Arsimin e Lartë, ministri Bajrami përmendi qëllimet që synohet të arrihen me këtë ligj, e që janë: përshtatja e rolit të arsimit të lartë me ekonominë e tregut; identifikimi i raportit midis universiteteve, politikës dhe Qeverisë; si dhe krijimi i universiteteve cilësore.  

Ndër të tjera, ministri theksoi rolin që do të ketë Senati i Universitetit, si organ vendimmarrës, ndërsa foli edhe për rolin e Rektorit dhe të Këshillit Drejtues, por edhe të Agjencisë së Akreditimit dhe kontrollit përmes një inspektorati të fuqizuar.

Ministri Bajrami foli edhe për Ligjin për Profesionet e Rregulluara, për të cilin tha se do të sigurojë nxjerrjen e profesionistëve, njerëzve të dijes dhe ekspertë.

Last modified: 1 Shtator, 2022