Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami me bashkëpunëtor ka vizituar sot Komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari i kësaj Komune, z. Ramadan Muja, ndërsa më pas ka vizituar Shkollën e Mesme Ekonomike “Ymer Prizreni” në këtë komunë.
Gjatë takimit me kryetarin Muja, ministri Bajrami ka biseduar për bashkëpunimin me komuna në fushën e arsimit, ndërsa me këtë rast, është nënshkruar edhe një Marrëveshje Mirëkuptimi që ka për qëllim ndërtimin e objektit për kopsht të fëmijëve në Prizren.
Ministri Bajrami i ofroi kryetarit Muja mbështetjen e vazhdueshme të MAShT- it për sektorin e arsimit, si dhe e njoftoi për investimet e planifikuara për ndërtimin e kopshtit të fëmijëve dhe shkollës së mesme të muzikës “Lorenc Antoni”.
Ministri Bajrami tha se, në Prizren do të ndërtohet një objekt model i kopshtit për fëmijë dhe një shkollë e muzikës, e cila gjithashtu do të jetë e standardeve të larta.
”Prizreni si qytet i traditës dhe kulturës sonë kombëtare e meriton të ketë një objekt të bukur të Shkollës së Muzikës, në të cilën do të përformojnë nxënës të talentuar ”, u shpreh Ministri.
Ministri Bajrami dhe kryetari Muja biseduan edhe për çështjen e pagave të 39 mësimdhënësve të Shkollës së Mesme Ekonomike, duke u zotuar në rregullimin e çështjes administrative dhe dhënien e pagave.
Gjatë vizitës në Shkollën Ekonomike është biseduar edhe mundësitë dhe nevojën e harmonizimit të profileve profesionale në këtë shkollë dhe në Qendrën e Kompetencës në përputhje me kërkesat e tregut të punës .
Ministri Bajrami ka kërkuar përkushtim të plotë në punë nga ana e mësimdhënësve në ngritje të ciësisë dhe që të përgatisin kuadro të afta profesionale ndërsa theksoi se asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet i pa punë pavarësisht ndryshimeve programore që mund të bëhen në kuadër të shkollave .
Në fund, ministri Bajrami ka bërë të ditur se është duke u trajtuar edhe çështja e diplomave të paakredituara të disa prej drejtimeve të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prizrenit dhe se së shpjeti do të zgjidhet ky problem.
Ndërsa, kryetari Muja e ka falënderuar ministrin Bajrami për mështetje të vazhdueshme që po i bënë komunës së Prizrenit, komunë kjo e cila është e dyta për nga numri i banorëve.
Last modified: 26 Gusht, 2022