Në kuadër të bashkëpunimit me universitetet amerikane, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami sot në shtetin federal Virgjinia është pritur nga presidenti i James Madison University, z. Jonathan Alger, nga presidenti i Eastern Mennonite University, z.Loren Swartzendruber dhe nga presidenti i Christopher Newport University, Paul Trible, me të cilët ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi.
Me marrëveshjet e nënshkruara nga ministri Bajrami dhe presidentët e universiteteve është arritur bashkëpunimi për asistencën e këtyre universiteteve në reformimin e sistemit arsimor në Kosovë.
Me anë të këtyre marrëveshjeve parashihet shkëmbimi dhe mobiliteti i studentëve dhe profesorëve ndërmjet këtyre universiteteve dhe universiteteve publike në Kosovë.
Përveç marrëveshjeve të nënshkruara, gjatë takimeve në këto universitete të njohura amerikane, ministri Bajrami ka kërkuar që ekspertët nga këto universitete të ndihmojnë universitetet tona në ngritjen e cilësisë, vlerësimin e performancës, menaxhimin e universiteteve dhe në akreditimin e programeve studimore.
Nesër, ministri Bajrami do të ketë takime në Departamentin e Edukimit të Shteteve të Bashkuara dhe do të pritet nga zyretarët më të lartë të USAID-it, me të cilët do të bisedojë për vazhdimin e përkrahjes së Qeverisë Amerikane në kuadër të programit Lidershipi i Transformuar.
Last modified: 31 Gusht, 2022